Buxheti 2014 dhe paketa fiskale, goditje ndaj autonomisë vendore dhe shërbimit ndaj qytetarëve

Të nderuar kryetarë të bashkive, komunave, qarqeve, të zgjedhur vendor.

Të nderuar miq, përfaqësues të delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, përfaqësues të organizatave donatore të Këshillit të Europës.

Qëllimi i këtij takimi të përbashkët është të diskutojmë, të shprehim mendimet tona, objeksionet, sugjerimet, si pushtet vendor për paketën fiskale dhe projekt-buxhetin e vitit 2014.

Vijmë në këtë mbledhje në kushtet e një anomalie që ka vështirësuar jo pak edhe normalitetin e diskutimit tonë, për ligjin më të rëndësishëm të vitit.

Edhe pse në paketën fiskale dhe projekt-buxhetin e vitit 2014 janë planifikuar ndërhyrje dhe ndryshime thelbësore, dramatike në dëm të pushtetit vendor, më saktë një gjymtim i këtij pushteti, të cilit i reduktohet si asnjëherë autonomia fiskale që është themeli edhe kushti i autonomisë vendore, qeveria nuk ka bërë asnjë konsultim me Shoqatat dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor për këtë projekt-buxhet dhe paketën fiskale që e shoqëron. Këtë e kërkon në mënyrë eksplicite standardi europian i bashkëpunimit midis pushtetit vendor dhe pushtetit qendror.

Qeveria ka marrë vendime drastike kundër pushtetit vendor, pa e pyetur këtë të fundit, madje nuk e ka marrë as mundimin që të informojë në rrugë zyrtare dhe institucionale siç e kërkon etika dhe kultura e shtet- funksionimit dhe çdo praktikë mirëqeverisjeje, tradita të cilat po krijohen dhe po konsolidohen në vendin tonë.

Pushteti vendor është në terr informativ, për sa i përket njohjes në rrugë institucionale të projekt-buxhetit. Natyrisht, këtë nuk e themi me habi të madhe. Nuk jemi vetëm dhe të vetmit që jemi shmangur nga qeveria, si palë që duhet të ishte si pjesë e konsultimit më të gjerë të qeverisë me  palët e tjera të interesuara, janë shmangur dhe shpërfillur të gjitha grupet e interesit në vend.

Në këtë kuptim, jemi të gjithë përballë qeverisë që është e vetme në arbitraritetin e saj, e vetme në frikën e saj për t’u përballur me sipërmarrjen dhe opinionin publik. E vetme në paaftësinë e saj për të mbrojtur këtë projekt-buxhet të katastrofës ekonomike dhe financiare përballë argumenteve të gjithë grupeve të interesit, organizatave, të shoqatave, siç janë shoqatat tona që përfaqësojnë interesin e të zgjedhurve vendor në nivel bashkish, komunash dhe qarqesh. Të gjithë shqiptarët, e kanë kuptuar që kryeministri ka përshtatur në sjelljen e tij shprehjen, ”Ju jeni të lirë të flisni, unë jam i lirë mos t’ju dëgjoj”, ky është standardi i tij, monologu,mosdëgjimi, shurdhëria, model antidemokratik që mohon dhe lufton lirinë në një formë tjetër. Kaq mund të bëjë kundër lirisë, në kushtet e demokracisë dhe shoqërisë së hapur dhe po e bën. Ne nuk dekurajohemi, nuk sprapsemi, përkundrazi, ne kemi lirinë, ai ka mosdëgjimin, shoqërues i sigurt i qeveritarit në rrugën e dështimit. Duam ta ndalojmë të keqën që po i përgatit vendit ky projekt-buxhet edhe në aspektin e decentralizimit, pavarësisht se kush qeverisë, duam ta bëjmë këtë në dritën e standardeve të njohura europiane dhe të kërkesave të progres-raportit të Bashkimit Europian të vitit 2013, për Shqipërinë.

Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj, të opinionit publik dhe të qeverisë tre mesazhe drejtpërdrejtë në rrafshin që po diskutojmë,” demokracia lokale dhe dencentralizimi fiskal duhet të nxitën”-thotë progres-raporti i Bashkimit Europian i tetorit. Projekt-buxheti i qeverisë i viti 2014 bën të kundërtën, centralizon.

“Duhen përpjekje më të mëdha për të fuqizuar efektivitetin, transparencën, gjithë përfshirjen duke luftuar politizimin dhe korrupsionin”-thotë progres-raporti. Projekt-buxheti bën të kundërtën, zero gjithë përfshirje, zero transparencë, politizim i skajshëm. “Kërkohet koordinim i ngushtë nëpërmjet qeverisjes qendrore dhe vendore, duke përfshirë fuqizimin e rolit të shoqatave “-thotë progres-raporti. Krejt e kundërta ndodhë.  Jo vetëm nuk ka koordinim, por as komunikim formal nuk ka dhe pastaj habiten kur marrin përgjigje negative nga Europa, e kërkojnë fajin tek Europa, e kërkojnë fajin tek vendet anëtare, kur janë këta që kanë injoruar në këtë shkallë kërkesat e saj , të shkruajtura të zezë mbi të bardhë. Përkeqësim, njeh përqindja e sasisë  së disa fondeve që merr pushteti vendor në raport me Produktin e Përgjithshëm Bruto, PPB, apo dixhipinë. Tani edhe dy vendet që i kishim pas, na dalin përpara, Kosova e Moldavia, pavarësisht se të ardhurat për frymë popullsia i ka 1.5 deri në 2 herë më pak se Shqipëria. Ky është shembulli më kuptimplotë, por vetëm njëri prej tyre, i përkeqësimit që sjell projekt-buxheti për të gjithë funksionimin normal të pushtetit vendor. Në këtë mbledhje duam të adresojmë me realizëm dhe qartësi tërësinë e problemeve në këtë rrafsh duke u fokusuar tek efektet që do të sjellë goditja që merr në këtë buxhet autonomia fiskale në të gjithë sektorët dhe shërbimet që ofron pushteti vendor për qytetarët,që nga furnizimi me ujë, menaxhimi i mbetjeve, shërbimet sociale, çerdhet, kopshtet, rrugët e shumë shërbime të tjera. Kalimi për administrim i disa taksave vendore në drejtorinë Rajonale Tatimore, pra të Ministrisë së Financave, do të ndikojë po kështu në rritjen e nivelit të shpenzimeve administrative për këtë administratë, duke rritur në këtë mënyrë koston e personeli , ndërkohë që për të njëjtin shërbim, për të njëjtën ngarkesë, niveli i  shpenzimeve në njësitë vendore është dy herë më i vogël.

Unë them të nderuar kryetarë bashkish e komunash se ky buxhet asfikson totalisht përpjekjen tonë për t’i shërbyer në radhë të parë qytetarëve, ndërmjet vetive të tij kryesore që janë pandershmëria, çekuilibrim dhe arroganca.

Pandershmëria. Pse i pandershëm? Marrim një shembull: buxheti vendor thotë për vitin 2014 është 33 miliard lekë, por në fakt, ka fshehur brenda edhe Fondin Shqiptarë të Zhvillimit, çka nuk ka qenë e llogaritur dhe nuk mund të konsiderohet si fond lokal. Ky është një mashtrim i pastër që bëhet edhe për fondet e donatorëve prestigjiozë, siç është Banka Botërore  dhe që keqpërdorën në këtë mënyrë apo hapet rruga e keqpërdorjes nga ky buxhet.

Abuzivizmi dhe pandershmëria në paraqitje, vazhdon edhe me mënyrën se si trajtohet transferta e pakushtëzuar. Këtë pavarësisht përpjekjeve për ta mbajtur në errësirë dhe larg transparencës në raport me gjithë secilin prej jush. Shumë prej jush e kanë venë re, e kemi diskutuar edhe në ditët pararendëse. Konsiderohet rritje e transfertës së pakushtëzuar  kur vetëdeklarohet se rritja e pretenduar prej 979 milionë lekësh, do të mbulohet 700 milionë lekë nga diferenca e llogaritur për kompensimin, siç thonë hartuesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël.

Pra, rritja reale e projektbuxhetit për njësitë e qeverisjes vendore nga transferta e pakushtëzuar është tre herë më e vogël se norma minimale e inflacionit, është 1 për qind.

Përdoren dy standarde. Në projekt-buxhet thuhet se të ardhurat nga taksat e tarifat e pushtetit vendor parashikohet të jenë rreth 13.2 % më të larta se ato të vitit 2013, ku në fakt të ardhurat janë ulur me 7% nga planifikimi i buxhetit të vitit 2013, pra “de facto” dhe “de jure” pavarësisht prej dy shifrave të ndryshme që jepen në një tekst të vetëm, qeveria parashikon varfërim të popullsisë në komuna dhe bashki. Kjo flet më mirë se çdo megafon i propagandës qeveritare dhe është i vetmi konstatim faktik, numerik, i ndershëm i projekt-buxhetit; parashikohet varfërim i popullsisë në komuna dhe bashki. U ka shpëtuar në përpjekjen e tyre për ta futur edhe pushtetin vendor nën diktatin e tutelës arbitrare, arrogante, të paligjshme të qeverisjes.

Një tjetër veti është natyra jo realiste dhe e parealizueshme e projekt-buxhetit. Ju jap një shembull që prek jo të gjithë prej nesh por shumë prej nesh, renta minerare. Me buxhetin e paraqitur thonë se bashkitë dhe komunat do të mbledhin sivjet nga taksa minerare 800 milionë lekë, ndërkohë që e pritshmja për 2013 ishte vetëm 300 milionë lekë. Pra, këtu butaforia është e prekshme, parashikohet një rritje prej afro tre herë e kësaj të ardhure, kur një kapitull tjetër për taksat kombëtare, për të njëjtën të ardhur, rritja parashikohet 14%.

Nëse ky buxhet do të kishte ardhur në secilën prej bashkive dhe komunave tona, do të ishte detyra jonë qytetare, administrative, profesionale, ta shkarkonim në vend specialistin që e kishte përgatitur por këtu nuk bëhet fjalë për diskrapanca që vijnë nga mosprofesionalizmi i përgatitjes së buxhetit por për gënjeshtra të prera trashë, ku në një faqe për buxhetin e pushtetit vendor parashikohet një rritje jo realiste, për ta hedhur poshtë në faqen tjetër ku bëhet fjalë për të njëjtën të ardhur por tashmë dedikuar pushtetit qendror.

Administrimi i fondeve për zhvillimin e rajoneve ka pësuar të njëjtin fat që kanë pësuar në këto tre muaj shumë vendime të rëndësishme të Këshillit të Ministrave, madje edhe të Parlamentit. Është zhdukur kapitulli për një ndër zërat kryesorë të zhvillimit të vendit, fondi i zhvillimit të rajoneve, është në kërkim kombëtar, mendoj ta shpallim edhe në kërkim ndërkombëtar..? Qeveria ose nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë me fondin e zhvillimit të rajoneve, ose do i përdorë ato si një xhep arbitrar, pa asnjë rregull, kriter e standard transparence, në funksion dhe interes të axhendës së saj politike. Mosparaqitja e këtij aneksi (të fondit të zhvillimit të rajoneve) e bën të paqartë, të pasigurtë e të pamundur të dimë nëse do të financohen punimet në dhjetëra, në mos qindra bashki e komuna, punime të kryera apo të nisura.

Qeveria duhet t’u japë përgjigje qytetarëve të Shkodrës, Shkrelit, Golajt, Llugajt, Kurbnesh, Lurë, Katund i Ri e Xhafë-Zotaj, Sukth e Ishëm, Durrës, Golem, Fier, Elbasan, Berat, Okllak, Livadhjan, Dropull,Vreshtaz, Bulgarec, Pojan, Miras, Hoçisht e qindra e qindra njësi vendore, të majta e të djathta, qytetarëve të cilët presin investime që ishin bërë një zë i zakonshëm në kohën e qeverisjes së PD.

Buxheti qartëson dhe evidenton se rritja e taksave në mënyrë direkte dhe indirekte do të ndikojë në rritjen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve që përdorin njësitë qendrore, vendore por për këtë nuk ka parashikime. Çmimi i karburantit, ushqimet për çerdhet e kopshtet, mirëmbajtja e shkollave, konvikteve, pastrimi, mirëmbajtja e rrugëve, të gjitha janë zëra që do pësojnë rritje. Ashtu, si edhe në sektorin privat, edhe në sektorin e shërbimeve që ne ofrojmë, duhet të ofrojmë ndaj qytetarëve, kjo do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke i kufizuar ato. Kjo është receta e buxhetit për këtë aspekt të rëndësishëm të punës sonë.

Nuk dua të ndalem gjatë tek raste të veçanta si ai i Tiranës ku raporti i monitorimit të Kongresit, miratuar më 31 tetor 2013 kërkon parashikimin dhe alokimin e fondeve shtesë të domosdoshme për ushtrimin e funksioneve dhe rolin e saj si kryeqytet por diskrapancat në funksion të axhendës politike në parashikimin e formulave tregojnë qartë afilicionin dhe drejtimin politik që hartuesit e këtij buxheti kanë pasur si kriter të vetëm në propozimet që kanë bërë.

Dua t’i rikthehem edhe një herë parashikimit lidhur me tatim-fitimin për biznesin e vogël që është akti më flagrant, thyerja më skandaloze e dispozitave të Kartës Europiane të Autoriteteve Lokale e Rajonale, demontim i punës së palodhur, kontributeve, projekteve për më shumë se 10 vjet të BE dhe agjencive individuale si; austriake, zviceriane, holandeze, USAID, për konsolidimin e sistemit tatimor në nivel vendor, ku qeveria nga njëra anë rrëmben administrimin e taksës së biznesit të vogël apo teknikisht të quajtur mbledhja e tatimit thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, duke kaluar nga niveli vendor në nivel qendror dhe bën këtë në mungesë të plotë dhe evidente të vullnetit për të diskutuar skemën që ne kemi propozuar prej kohësh, atë të bashkëndarjes të taksave.

Këto janë disa prej çështjeve, ka edhe të tjera dhe jam i sigurt se do të diskutojmë gjatë këtij takimi. Fakti është se pas goditjes që ky buxhet i jep çdo shqiptari, duke detyruar çdo shqiptar të nxjerrë më shumë lekë nga xhepi i tij apo i saj për të paguar për gjithçka, nga mallrat e konsumit të përditshëm, tek shërbimet e gjithçka tjetër, pas goditjes që u bën punëdhënësve, nga punëdhënësi i vogël, i vetëpunësuari e deri tek punëdhënësit e mëdhenj, duke i detyruar të futen në një regjim të shtrëngimit të rripit, që do të thotë të largimit nga vendet e punës, të të punësuarve aktualë e jo më të mendojnë për të punësuar të tjerë, goditja që i bëhet autonomisë vendore është me një impakt të dyfishtë, hap prapa, regres, në raport me gjithçka është ndërtuar në bazë të rekomandimeve të KE dhe që kërkon të thellohet më tej, siç tregon progres-raporti i BE dhe e dyta e më e rëndësishmja, sepse decentralizimi nuk është qëllim në vetvete, është goditja që i bëhet cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve tanë, të çdo shërbimi, investimeve, mirëmbajtjes, transportit publik e çdo shërbimi tjetër. Kjo na ka mbledhur sot këtu, për të evidentuar fare qartë problemet, për t’i paraqitur ato me shpejtësi para Parlamentit dhe për t’i kërkuar të gjithë grupeve të interesuara për të ndalur këtë zhbërje të madhe, për t’i bërë thirrje qeverisë të korrigjojë gjatë diskutimit nen për nen në ditët e ardhshme, të paketës fiskale dhe buxhetit dhe për të sensibilizuar çdo qytetar shqiptar për rrezikun e madh që i kanoset tashmë edhe në fushën e shërbimeve komunale dhe bashkiake, nëpërmjet zhbërjes së cilësisë, jo avancimit më tej që është një pritshmëri e ligjshme, por zhbërjes së cilësisë së deritanishme, përkeqësimit të cilësisë së deritanishme dhe që është një rezultat, pa asnjë dilemë i këtij propozimi që qeveria sjell në tavolinë.

Së treti, për t’u kërkuar partnerëve tanë europianë që të drejtojnë edhe një herë sytë dhe energjinë e tyre, të investuar ndër vite dhe me sukses në procesin vital, jetik për demokracinë të decentralizimit dhe rritjes së autonomisë vendore, sepse në këtë vend po përgatitet dhe po ndodh me shpejtësi e kundërta. E kemi parë këtë në hapat e parë të ndërmarrë, në ndërhyrjet antikushtetuese në kompetencat e pushtetit vendor, në kontrollin e zhvillimit të territorit. Sot, po e shohim të zezë mbi të bardhë (të paktën kësaj radhe kanë marrë mundimin ta sjellin si dokument ligjor se ndërhyrjet e tjera janë thjesht arbitrare, ndërhyrje që nuk i kanë bërë as forcat pushtuese gjatë kohës që pushtonin territorin e këtij vendi, kam përshtypjen se edhe ata një copë letër e linin) por tani bëhet fjalë për një ndërhyrje flagrante, të zezë mbi të bardhë në stokun pozitiv të decentralizimit që është një investim i përbashkët i qytetarëve shqiptarë, i të zgjedhurve të tyre vendor, BE dhe KE.

Këto janë temat kryesore që na kanë mbledhur rreth kësaj tavoline. Do dalim nga kjo tavolinë me propozime konkrete por edhe me një vendosmëri të plotë, për të qëndruar fuqimisht me forcën që kemi, forcën e përfaqësimit të interesave të qytetarëve tanë dhe për të mos lënë që as në këtë kapitull të rëndësishëm të miradministrimit të vendit, siç është pushteti vendor, zhbërja dhe përkeqësimi që propozon ky buxhet të kthehen në një realitet.

Zv/kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Ridvan Troshani

Fillimisht dua të theksoj për vonesat, për hir të së  vërtetës, ne e kemi përgatitur buxhetin deri në fund të nëntorit. Jemi tani me mungesë, tani në këtë moment jemi me vonesë. Siç tregojnë  edhe gjasat ky projekt-buxhet duhet të miratohet deri nga fundi i vitit. Atëherë ne i takon që të miratojmë buxhetin në fund të marsit , tre muaj me vonesë, sepse kështu janë procedurat dhe do ta  respektojmë. Ne kemi qenë në pritje të paketës fiskale, ishte një paketë fiskale e cila tashmë ka ndryshime radikale dhe ishim në pritje të transfertës të pakushtëzuar. Janë dy kolona ku nuk mund të ndërtohet një buxhet, pavarësisht nga të ardhmen që do të administrojmë ne në paketën fiskale të bashkive të njësive vendore.

Jo vetëm planin ligjor që jemi tashmë me vonesë, por edhe në planin e përgatitjes së administratës për një ndryshim radikal të tillë të paketës fiskale duhet të përgatisim administratën tatimore por edhe drejtorive të tjera që kanë një lidhje organike me Paketën Fiskale. Në kuadrin e autonomisë lokale kjo është një  dukuri e cila tashmë  është e ditur për të gjithë që kemi të bëjmë jo me një decentralizim, centralizim, apo me një monopolizim jo vetëm të paketës fiskale por edhe të paketës së investimeve ne do të vuajmë jo vetëm shërbimet publike dhe shërbimet komunale, pro me  të njëjtën mënyrë, me  të njëjtin stil ne do të vuajmë edhe konkurrimin e kushtëzuar, kështu që sa i përket këtij decentralizimi qoftë  formalisht, qoftë teorikisht, qoftë praktikisht ne do ta vuajmë dhe do të ketë pasoja të pallogaritshme. Unë shoh një plan tjetër sepse prej 8 vitesh në njësitë tona vendore administratoret një paketë fiskale edhe për llogari të biznesit të vogël. Mendoj se administratat tona, sidomos bashkitë e mëdha  janë tashmë të kualifikuara sepse kanë eksperiencën jo vetëm të punës por  edhe të trajnimeve pa fund, të work-shop-ve me donatorët GIZ, USAID etj etj.

Përveç kësaj, ka edhe një rreng tjetër sepse gjysma e këtyre administratave do të hiqen nga puna,sepse nëse hiqet kjo paketë fiskale duam ta shohim edhe në  planin social, jo vetëm si njerëz të kualifikuar por edhe si familjarë duhet të kemi një plan , do të kemi një  efekt social tepër të ndjeshëm. Pra, shmangen një  pjesë e mirë e administratave  dhe fryhen administratat tatimore të drejtorive rajonale tashmë.

Gjithsesi me treguesit teknik të biznesit të vogël mendoj se na krijohen konfuzione teknike deri tashmë biznesi i vogël është llogaritur mbi xhiron. Pra, kemi një  llogaritje mbi tatimin e thjeshtua, mbi fitimin e tatueshëm, një  konfuzion i llogaritur mirë. Edhe ajo ka prapë vështirësitë e veta, vështirësitë rriten sepse të identifikosh saktë tatimin e thjeshtuar është shumë më e vështirë. Ka edhe probleme të tjera teknike tek biznesi i vogël sepse siç e tha edhe kryetari i Peshkopisë, unë personalisht duke qenë edhe një punonjës i vjetër i drejtorisë së tatim-taksave, e kam provuar këtë transparencë përpara tetë vitesh, kur kam qenë drejtor i tatim-taksave në Bashkinë e Shkodrës, kur me shumë  vështirësi dhe pahir mezi arritëm të merrnim deri në 50-60% të asaj vlerë që na takonte.

Unë dyshoj tek transparenca e këtyre parave të cilat teknikisht duhet të merren në çdo tre muaj, 4 herë 3 jo 20 prill, jo me radhë siç e keni. Efektet negative në  faqen dy, të një informacioni që shoqëron projekt-ligjin thotë se janë 2 miliardë, dhe se do të kompensohen 1.2 që është afërsisht 60%, 1.2 miliardë do të kompensohen nga administrata për llogari të pushtetit vendor dhe 700 milionë nga rritja e transfertës së pakushtëzuar. Unë kam parë  edhe listën e bashkive, kam bërë një garanci midis 2014- dhe 2013 dhe rezulton që një pjesë e mirë e bashkive nuk duhet të abuzojë, por kam parë bashkinë time që rritet me zero për qind, në fakt duhet të rritesh me 15,16,17,18 deri në  26 % që e kanë  shumë  bashki të majta. Më vjen keq që  flas kështu por jam i detyruar ta përmend nëse probabiliteti do të  ishte deri në 30% nga ajo që shprehim këtë vit. Ne bashkinë  Shkodër rriten  vetëm zero për qind, kjo është një  gjë reale.

Problematika të tjera, normalisht do të bëj pak politikë, nëse çdo vit për hir së vërtetës jemi asistuar nga shumë donatorë , GIZ, USAID etj . Ne kësaj radhe nuk kemi pasur asnjë  takim përjashtuar një  takimi modest me shoqatën e bashkive, nuk kemi pas asnjë komunikim, asnjë asistencë, asnjë komunikim transparent për të  komunikuar për këtë eksperiencë të re. Kësaj radhe kishim të bënim me një ndryshim radikal të paketës së re fiskale, pra ishte një  lloj detyrimi për të bërë asistencë disi më të kualifikuar, asistencë e cila duhet të pasqyrohej tek administrata jonë tatimore.

Tek biznesi i vogël vazhdon të jetë konfuze pjesa e cila do të jetë për efekt të shërbimeve publike siç kemi shërbimin tarifor të pastrimit, gjelbërimit e me radhe, vërtet shfuqizohet por  ka ekuivokë midis udhëzimit dhe ligjit dhe ne na le përsëri të pamundur për të vepruar ,sepse  nuk kemi një udhëzim i cili  duhet të shoqërohet në mënyrë pak më fine, më cilësore dhe më transparente këtë projektligj të cilin të shpresojmë që të marri ndryshime edhe më të thella. Gjithsesi jam i detyruar të them se me këto shifra me këto vlera aspak në rritje, me këtë konfuzion fiskal ne normalisht do ti shërbejmë cilësisht, intensivisht në mënyrë sistematike ashtu siç i kemi shërbyer deri tani qytetarëve tonë. Ndaj duhet  ti bëj thirrje kolegëve që në mënyrë se si  e shikoj  këtë paketë fiskale ta bëjnë evidente në këtë tavolinë në mënyrë që ky mesazh, sepse secili prej jush ka eksperiencat e veta në marrëdhëniet me paketën fiskale dhe me këtë buxhet i cili në shumën  e kolegëve tonë mund  të jetë  jo më rritje por më ulje, në mënyrë që ta përcjellim këtë mesazh qoftë ne, qoftë njëri-tjetrit , qoftë të gjithë  atyre forcave politike që kanë me e pas mundësinë për ta miratuar. Të shpresojmë të funksionojë kjo tavolinë në të mirë të ndryshimeve më cilësore që t’i shërbejë komuniteteve atje ku ne punojmë.”

Tasim Mema-Kryetar i Qarkut Tiranë dhe Kryetari i Këshillave të Qarkut të Shqipërisë

Faleminderit zoti Kryetar, unë nuk do të hyjë në detaje në lidhje me buxhetin e vitit 2014 dhe paketën fiskale që e shoqëron atë, pasi kolegët e mi që diskutuan më përpara por  edhe ju zoti Basha i reflektuat gjithçka që lidhet me këtë buxhet, një  gjë është e qartë se ky buxhet është vetë kriza, vetë dështimi i kësaj qeverie. Por unë desha të ndalesha në disa aspekte  të tjera . Ajo që vihet re qartë në këto gjashtë muaj. Atë vërtetë thonë 100 ditë, por në fakt kanë kaluar gjashtë muaj që nuk sjellin si qeveri, por sillen si opozitë dhe kjo është çuditërisht , kanë gjashtë muaj që nuk dëgjojnë  gjë tjetër që vetëm qahen. Dhe me të vërtet këta e  duan të qeverisin apo kanë dalë për të qarë dhe mua më duket se këta kanë dalë për të quajtur e kanë krejt të pamundur që ta qeverisin këtë vend. Përpara se mblidheshin në këtë tryezë, Parlamenti me 79 votat e tyre më duket se e kaloi në parim buxhetin dhe një gjë shqiptarët këto ditë e kanë kuptuar që gjatë vitit 2014 do të jenë shumë më të varfër jo vetëm se sa 2013 , 2012 por gjatë gjithë historizmit të pluralizmit shqiptarë këto do të jenë viti më i varfëri i tyre. Ajo që shihet qartë është se qeveria ka futur thellë duart në xhepat e shqiptarëve , edhe jo vetëm në xhepat e demokratëve por edhe në xhepat e socialistëve dhe këtë mund ta shihni dhe nuk besoj se mund të ketë shqiptarë që se ka kuptuar se çfarë e pret në të ardhmen. Neve na mbetet që ti tregojmë opinionit publik, shqiptarëve se na kanë zgjedhur, besoj se në të gjithë  këto ditë kemi bërë një punë jashtëzakonisht të mirë në lidhje me këtë . Ajo  por ajo që desha unë  të fokusohesha është çështja e investimeve, sepse në termat e buxhetit të shtetit  ka një  fshehje të buxhetit, duket sikur ata thonë kemi aq dhe kemi kaq, por në fund nga tabela që paraqesin ata  kuptohet qartë se vetëm buxhetit të investimeve në Qarkun e Tiranës i mungon 12 milionë euro investime. Këto investime ne nuk i gjejmë në asnjë kolonë të buxhetit të tyre, po të marrim sferën e investimeve në bujqësi, jo vetëm Qarkut të Tiranës por  edhe qarqeve të tjera i mungojnë investimet në bujqësi.

Tashmë e dimë që nuk është larg investimi që kanë bërë socialistët, ujë vaditës në çdo parcelë, kjo nuk bëhet fjalë më, nuk besoj se ka shqiptarë ta ketë kuptuar se ku do të jenë 5 lekë për ujin e vaditjes. Në Qarkun e Tiranës, po e marrë këtë qark meqenëse jam edhe kryetari i saj, vetëm vjet në Qarkun e Tiranës janë mbjellë 50 mijë rrënjë ullinj dhe kanë qenë të destinuar vetëm për ullirin vetëm dy milionë euro. As edhe një  lekë i vjetër jo i ri nuk ka për pemën e ullirit. Viti ‘90 e ka gjetur Tiranën me  400 mijë rrënjë ullinj, kurse shumica prej tyre kanë qenë ullinj shekullor dhe ne kemi mbjellë në këto pesë vite në skemat e mbështetjes për bujqësinë, 300 mijë rrënjë ullinj, pa marrë parasysh edhe investimet në pemën e ullirit edhe nga privatet por vetëm me subvencionet e qeverisë shqiptare.

Por kuptohet që filozofia e qeverisë tonë ka qenë ndryshe nga kjo, ne kemi dashur që të kemi qytetarë të fortë ekonomik, këta kanë gjetur që të kenë një shtet të fortë unë nuk e di se ku do ti çojnë  ato para, ku ajo paketë fiskale mbledh aq para dhe për investime nuk parashikohet asnjë gjë, por çështja është e tyre dhe unë besoj se shumë  shpejt do të kuptojmë falsitetin e këtij buxheti.

Marr shkas, nuk do ta kisha ngritur çështjen e graniti të Qarkut të Tiranës , marr shkas nga një ish- ministër i qeverisë socialiste dje në Parlament që bëri barazi për të gjitha komunave dhe bashkive e qarqeve nga buxheti i shtetit. Unë po ju them juve, që edhe Bashkia Tiranë e tha zoti kryetar se sa i mungojnë në këtë vit. Unë po ju them për Qarkun e Tiranës, ka 5.5% më pak se sa viti që shkoi si grant, pa marrë parasysh 12 milionë që i mungojnë në buxhetin e saj, në një kohë që në Qarkun e Tiranës jetojnë 1.1 milionë  banorë, si mundet që Qarku i Tiranës me 1.1 milionë banorë të ketë buxhet 5.5 % më të vogël se sa të gjitha qarqet e tjera, nuk e kam këtë me kolegët e mi, në mënyrë absolute sepse por e thashë për të treguar edhe njëherë falsitetin e të gjithë atyre që bëjnë “Hosana” këtij buxheti dhe që i bëjnë “Hosana” këtij kryeministri. Por një gjë është qartë për mua dhe për të gjithë ne se këta nuk janë as socialist jo e jo, por nuk kanë lidhje as me ata më përpara me socialistëve, këto janë një grup që nuk e di se çfarë do të rezultojë deri në fund, por neve e shqiptarëve na mbetet ti provojmë në ditët në vazhdim se çfarë do të jenë këta.

Por meqenëse këtu janë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, partnerët tanë shuam të çmuar. Unë gjej rastin që  të ngre një problem në lidhje me qarqet, në filozofinë e tyre ka filluar çmontimi i qarqeve, Fierin që e bënë kalë beteje për dy vjet, që në mënyrë që Shqipërisë të mos i japin statusit kandidat tani e kanë hedhë tej, e kanë hedhë tej dhe në mënyrë të papritur për sekonda heqin 15 këshilltarë, diku heqin 4 diku heqin 1, edhe në Burrel kishin shkuar pardje për ta hequr.

Unë i bëj thirrje të gjithë organizmave ndërkombëtarë, partnerëve tanë, Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, autoriteteve lokale dhe rajonale të Këshillit të Europës në Strasburg që të ndërhynë me forcë sa nuk është vonë. Kështu që unë edhe njëherë e përshëndes këtë tavolinë dhe shpreh bindjen e plotë që kemi shërbyer sa do pak në të mirë të qytetarëve të Shqipërisë”.

Ilir Krosi, Kryetar i Bashkisë së Peshkopisë:

Falënderoj Shoqatën e Bashkive që na mundësoi të jemi sot këtu dhe tryeza me përfaqësinë e komunave dhe qarqeve është më e dobishme në një moment kanë delikat ku ne jemi mjaft të brengosur, të mërzitur për këtë situatë të papritur që po na sjell vështirësi të paimagjinueshme për ne, pasoja për komunitetet respektive.

Unë si mjaft prej jush e disa të tjerë, kam fatin të jem që në 2003, kryetar i Bashkisë së Peshkopisë dhe për pasojë jam anëtar i shoqatës së bashkive, anëtar i komitetit drejtues të kësaj shoqate dhe kam pasur rastin të jem pjesë e disa tryezave në luftën dhe lobimin e fuqishëm që në kemi bërë në proceset e decentralizimit.

Kujtoj me emocion dhe vëmendje momentet e debatit me ish- kryeministrin Nano, bashkë me mjaft kolegë kryetarë për të luftuar e lobuar për të marrë kompetenca që në fakt arritëm t’i marrim dora dorës, ndoshta jo të gjithë por morëm një pjesë të konsiderueshme në atë kohë. Sot, jemi në një pikë kthese të paimagjinueshme. Atëherë kur ne lobonim, kryetari i shoqatës së bashkive ishte z. Kryeministër i sotëm, z. Edi Rama, i cili bashkë me ne ngriti zërin fuqishëm dhe morëm disa kompetenca për të cilat filluam të punojmë më mirë. Më pas, gjërat ecën në procesin e decentralizimit pas vitit 2005 me disa hapa të tjerë për të cilët ne shpesh herë ishim edhe të papërgatitur, duke marrë edhe funksione të cilat na dukeshin paksa të shpejta për ti marrë, disa njësi nuk kishin shpatullat e tyre të fuqishme në administratën përkatëse, burimet dhe kapacitetet për t’i mbajtur ato kompetenca megjithatë ne kishim kërkuar dhe me vështirësi filluam e ti mbajmë ato. Prisnim ndërkohë të merrnim çështje të tjera financiare të cilat dora dorës edhe i morëm, qoftë me rritjen e grantit, qoftë me taksën e biznesit të vogël për të cilin sot jemi të shqetësuar që po përmbyset situata.

Funksionet e Inspektoriatit të Ndërtimit, të shërbimit të ujësjellësit etj.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, kur kryeministër u bë z.Rama, duke pasur parasysh edhe lobimin e tij të fuqishëm të asaj periudhe 2003-2004-2005, duke pasur parasysh që edhe shoqata e bashkive arriti të çahej çuditërisht dhe për mendimin tim ishte një dëm i madh për autonominë vendore çarja e shoqatës, veç të zgjedhurit e majtë, veç të zgjedhurit e djathtë. Duke parë që në këtë shoqatë bashkëdrejtonte z. Bledi Çuçi i cili ishte përfaqësuesi i ekzekutivit të z. Rama, atëherë në kabinet me ministrin Blushi, duke parë funksionin që morri z. Çuçi, në një farë mënyrë filluam të bëheshim edhe pak optimistë se ndoshta tashmë këta do e mbajnë fjalën sepse z. Çuçi, z. Rama, z. Peleshi. z. Koka, pra në kabinet u futën disa ish-kryetarë të cilët do kishin minimumin e ndjenjës së të zgjedhurit vendor që të bënin realitet ato gjëra për të cilat kishim lobuarsëbashku. Në fakt, po ndodh e kundërta dhe ju po e shikoni që ne marrim vesh përmes medias të kuptojmë se çfarë do ndodhë me ne sepse informacione zyrtare nuk kemi dhe për këtë jemi mjaft të shqetësuar e brengosur dhe unë nuk do të heq asgjë nga fjalët që tha kryetari, z. Basha dhe jo më kot kam mbajtur përpara edhe Kartën Europiane të qeverisjes lokale që në nenin 9 të saj thotë për burimet financiare të bashkësive vendore.”Bashkësitë vendore kanë të drejtë në kuadrin e politikës ekonomike të vendit të kenë burimet e tyre të mjaftueshme të cilat mund t’i disponojnë lirisht në ushtrimin e kompetencave të tyre”.

Pika 6 thotë: “Bashkësive vendore duhet t’u kërkohet mendim në kohën e duhur, mbi mënyrën e përvetësimit të burimeve të rishpërndara”. Pra, ky është një detyrim që e ka sot çdo qeveri në Evropë, aq më tepër qeveria shqiptare, gjë e cila i është vënë në vëmendje siç u tha këtu edh enë  progres-raportin e fundit.

Sa i përket ecurisë së taksës së biznesit të vogël, është shqetësimi më i madh konkretisht në qytetin tim. Megjithëse ndryshoi ligji, taksa e biznesit të vogël administrohej nga degët e tatim-taksave deri në 2006, në vitin 2005 pati një ulje të nivelit të taksës së biznesit të vogël nga 3 në 1.5% e përsëri ne merrnim më shumë të ardhura në buxhetin tonë sesa përpara, pasi krijuam kapacitetet tona, iu orientuam drejt tek kjo pasi ishim të bindur dhe jemi të bindur se pa decentralizim financiar dhe mundësi financiare nuk ka decentralizime të tjera etj.

Me marrjen e taksës së biznesit të vogël, në 2006 me gjithë uljen që qeveria bëri dhe mirë bëri, ne patëm një shtim të bizneseve, pakësim të informalitetit dhe si pasojë një rritje të nivelit të të ardhurave, më shumë se ç’ishte në periudhën kur kjo administrohej nga dega e tatim-taksave.

Duke qenë se bizneset ose menaxhimi i biznesit në qytetet tona urbane janë kryesisht biznes i vogël, barra do të rritet me paketën e re fiskale. Rritja ndoshta është e maskuar por sidomos tregtarët e vegjël e kuptojnë fare mirë se pagesa tyre nuk do të jetë më 230 mijë lekë të vjetra me ata që janë me xhiro nën 2 milionë lekë e të tilla janë pothuajse të gjitha bizneset në qytetet tona, tashmë do e kenë më shumë, shto këtu edhe pjesën tjetër 2-8 milionë që barra u është rritur dhe çfarë do bëjnë ata në këtë situatë kur ka edhe ndikime të tjera negative siç është nafta etj? Do të turren drejt informalitetit, do gjejnë të gjithë mënyrat për t’u bërë informalë, ndërkohë që ata që e kanë xhiron 2-8 milionë do tentojnë të gjejnë mënyra të tjera për të rindarë biznesin e tyre, për ta bërë në rastin më të keq informal, në rastin më të mirë nën 20 milionë lekë xhiro e për pasojë barra e tyre do rritet e kjo do sjellë varfërim të qyteteve tona, papunësi, informalitet dhe gjithë puna që kemi bërë në këto vite, duke ndërtuar zyra one-stop-shop, duke marrë ekspertizë nga donatorë që gjej rastin ti falënderoj për ndihmën e tyre në vite edhe për krijimin e paketave elektronike, programeve mjaft të mira për sistemin e administrimit dhe mbledhjes së taksave, gjithë këto do hidhen poshtë dh ene do detyrohemi të presim çfarë do na japë drejtoria e tatim-taksave, pasi transparencë nuk ka, nuk shohim të jetë vendosur ndonjë detyrim marrëveshjeje, nuk e di kush do e evidentojë këtë biznes. Ne nuk do pyetemi fare për këtë qëllim, ne që u shërbejmë drejtpërdrejt qytetarëve? Solidarizohem me thirrjen e kryetarit Basha, të koordinojmë veprimet tona me shoqatat respektive, në përfaqësim të vlerave evropiane për të cilat ne kemi aspiruar e vazhdojmë të punojmë që kjo situatë të ndalet sa më shpejt dhe të kthehet normaliteti, duke na lëshuar ato kompetenca për të cilat qeveria është e detyruar. Nuk po na bën nder dhe lëmoshë”.

Fatmir Guda, Kryetar i Bashkisë së Leskovikut

Që në krye të herës nuk doja ti hiqja këtij buxhetit ato që kryetari i Partisë Demokratike dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës i ka thënë që në krye të herës, është një buxhet i jep shqiptarëve me lugë kafeje atë që u merr me garuzhde. Në raport me pozicionimin e kryeministrit shikoj që është një pozicion tepër i rrezikshëm jo vetëm i qytetarëve pro për çdo të zgjedhur vendor demokratë e socialistë. Ne demokratët jemi të destinuar që të paguajmë faturën e keqqeverisjes nëpërmjet kufizimit të grandëve nëpërmjet kufizimit të grandeve në shërbim të qytetarëve, por që për pjesën e tij ai e ka zgjedhur të imponojë kërcënimin, frikën, paditë penale , dhe i ka me radhë gati dhe më vjen keq që duhet të ishin edhe të tjerë rrezik të zgjedhur të majtë, që nga Gjika, që nga Baftjar Zeqo e të tjerë që po ju vjen rrotull, pasi fatura në nivel qeverisës do të vinë një ditë edhe në kurriz të tyre, por me ta e ka të lehtë se nuk i kandidon por ajo që po parashikon po ngre një faturë politike mbi të gjitha dhe herë pas here tentativat e tij jo vetëm për ti dhënë fund marrëzive , Herë pas herë më bën që të mendoj se kjo është një qeveri e marrëzisë, pasi tenton arroganca, përveçse kufizimit të kompetencave dhe të decentralizimit dhe kontrolle vendore nëpër njësitë vendore ku kërkon kryetarëve të bashkive, po marrë rastin e Prefekturës së Korçës , rrinë në zyrë se presin një grup auditimi së bashku me punëtorët të kenë kartat e identitetit t’ kenë më vetë, punëtorët t’ju bëjnë kontroll perfekti, pse jo t’ju kërkojnë edhe shami të bardha edhe favoritet ti kenë tek kocka e partisë por ajo që shkakton situata e varfërimit financiar është duke u shtrirë edhe në rrafsh presioni".

Fatbardh Plaku, Kryetar Shoqatës së Komunave, njëherësh Kryetar i Komunës Farkë

Të nderuar kryetar të komunave dhe qarqeve, të nderuar përfaqësues të organizmave ndërkombëtare, OSBE, Këshilli i Europës, USAID.

Jemi sot për të diskutuar dhe për të qarë hallin dhe hallet e asaj që na pret, për shkak të projekt-buxhetit të ri që po hartohet dhe paketës së re fiskale që na është servirur gjatë këtyre ditëve.

E shohim rëndom që qeveria qendrore po ndërhyn në kompetencat e pushtetit lokal, në mënyrë sistematike. Filloj me aktin e INUK-ut dhe vazhdoi me pezullimin e planeve rregulluese të atyre pak njësive që arritën të mbijetonin nga ligji i ri i urbanistikës për të vazhduar me paketën fiskale e cila ndërhyn në thelbin, e gjithë asaj përvoje dhe arritje të pushtetit lokal në Shqipëri, siç ishte taksa e biznesit të vogël që për hir të vërtetës, në të gjitha komunat dhe bashkitë, që kanë një lloj të ardhure, se nuk mund të flasim për ato komuna që nuk kanë biznese për të cilën përpiqet qeveria për të hedhur baltë mbi pushtetin lokal, kanë arritur të mbledhin taksën e biznesit të vogël.

E them me bindje, se shumica dërrmuese, taksën e biznesit të vogël kanë arritur ta mbledhin deri në 100% dhe çuditshëm në paketën e re fiskale na serviret, t’i hiqet pushtetit lokal kjo lloj takse, si e vetmja taksë e qëndrueshme, si e vetmja taksë, që gjeneron të ardhura për të kryer misionin që kemi ndaj qytetarëve që na kanë zgjedhur, si ne ashtu edhe qeverinë që drejton shtetin sot,  pra pastrimin, ujësjellësin, gjelbërimin, shërbimet bazike për qytetarët.

Na serviret që është rritur edhe taksa e ndërtesës, qeveria bënë politikat e veta fiskale, e dinë ajo edhe kostot edhe rreziqet, i merr ajo përsipër por ne si shoqatë dhe si shoqatë e të zgjedhurve vendor duhet të ngremë zërin që është e vetmja  taksë në Shqipëri, ndër vite që është mbledhur më pak se çdo lloj takse tjetër, është realitet me tregues nga 30-50%, performanca më e mirë, e administratës më të mirë lokale, nuk besoj se ka arritur më shumë se sa kaq.

Atëherë, unë do të kisha një kërkesë shumë konkrete për qeverinë e re, për zotin Çuçi, për zotin Cani, ministrin tonë të Financave, por edhe për Kryeministrin, në cilësinë e njohjes së mirë të atij back-ground-i, të pushtetit lokal, pasi ai ka drejtuar gjatë Bashkinë e Tiranës: Zotëri, merreni përsipër mblidheni taksën e ndërtesës, meqë jeni më aktiv, meqë jeni më kompetentë , meqë jeni më të zotë se pushtetit lokal, merreni përsipër dhe mblidheni taksën e ndërtesës, ka shumë më shumë të ardhura sesa taksa  biznesit të vogël dhe na ktheni gjysmat në mënyrë që të ecim dhe të risim të ardhurat për pushtetin lokal të shtojmë shërbimet në komunitetit, por jo të marrim atë, pasi është një përvojë e ndërtuar me mund dhe me djers nga gjithsecili prej nesh, të na hiqet çuditshëm”.

Kjo, është një taksë që mblidhet 100% nga pushteti lokal, pra e thënë ndryshe, shihet një lloj trendi që si e si ta hollojmë atë perin e të ardhurave në pushtetin lokal. Unë nuk di dhe nuk besoj se edhe qeveria do ta çojë përpara këtë vend duke anashkaluar pushtetin lokal, asnjë lloj konsulte për projekt-buxhetin, paketën e re fiskale.

Po kujt i shërben?

Janë njerëz që kanë drejtuar për 15 vite në pushtetin lokal, kanë përvojë, ngri tavolina, dëgjoi, merr atë që duhet, e jotja do të jetë çdo lloj zgjidhje, sigurisht, por merr përvojën, jo nuk e shohin të arsyeshme. Kjo nuk është mirë për autoritetet ndërkombëtare, organizmat ndërkombëtare, besoj e shohin qartazi këtë gjë.

Pezullohen planet rregulluese, po nuk u ftuan këtë të zgjedhurit vendor, thjesht për të qenë në panel  të dytë, aty mbrapa. Ndërkohë që do të pezullohen deri në përjetësi, deri në 5 muaj, deri në 1 vit sepse është bërë keq nga ju, nga qeveria juaj, ne do të bëjmë më mirë, do të ndërhyjmë, do të rrisim parqet, do të ulim katet, por jo të pezullohen.

Të gjithë jemi koshientë, një vend nuk mund të bazohet në sektorin e ndërtimit, sado i rëndësishëm është për periudhën që jetojmë në Shqipëri, sektori i ndërtimit, duhet t’i lërë vendin sektorit të prodhimit, sektorit të përpunimit, apo turizmit, është e natyrshme. Por ka forma dhe mënyra të tjera për të kaluar nga sektori i ndërtimit në disa sektorë të tjerë.

Rrite përqindjen e taksës së infrastrukturës, ndërkohë që aktualisht është qesharake, e them me bindje nga çfarë kemi parë rreth e rrotull, atëherë natyrshëm të gjithë biznesmenët do të orientohen në fusha të tjera. Por nuk është trendi për të marrë asnjë lloj mendimi, asnjë lloj konsulte me të zgjedhurit vendor dhe arrijmë në këto tregues që kolegët tanë shumë qartë e thanë, hiqet taksë e biznesit të vogël, një taksë që të paktën në komunën e Farkës 60 milionë lekë mblidhet 100%, çuditshëm hiqet dhe do të më kthehet në 40 milionë, në 60 % e asaj që mblidhet dhe pjesa tjetër nuk dihet se ku do të shkojë, ai 700 milionë që do të na serviret në formë grantesh të rishpërndara në të gjitha njësitë vendore.

Të nderuar kolegë, një taksë që unë e mbledh nuk ka pse ta marrin komuna të tjera, është biznes që shërben në territorin e një komune dhe do t’i shërbejë atij, një rast do ishte nxjerrja e plehrave, po ajo firmë ka përdorim të ujërave të pijshëm, nuk mundet, që të marrësh taksën nga komuna Farkë dhe ta çosh te komuna Kërrabë, nuk është normale ndërkohë që kjo po ndodh. Dhe ky 700 milionë na serviret si rrije granti për pushtetin vendor, ndërkohë që jo të nderuar kolegë, 1 mijë lek të vjetra më shuma ka  komuna e Farkës, në raport me vitin e shkuar, 1200 lekë të vjetra, një grant qesharak, po them 150 milionë lekë. Ndërsa për komunën Bërzhit,1100 lekë të vjetra më shumë sesa vitin e kaluar. Pa llogaritur këtu se çfarë ikën për shkak të biznesit të vogël.

Atëherë, si do të bëhet me shërbimet në komunitet ?

Nuk kam asnjë lloj trendi këtu që të bëjë opozitë qeverisë, jemi këtu si shoqatë, personalisht këtu jam si kryetar i Shoqatës së Komunave, mbulojmë gjysmën e shërbimeve në Shqipëri. Të gjithë jemi dëshmitar se si shishe plastike sesi qeset e plastmasit mbushin  detin Adriatik dhe Jon dhe dalin në kufi me vendet e tjera që na rrethojnë.

Kështu do t’i bllokojmë ne duke ia hedhur  pushtetit lokal, kështu do të arrijmë ne të pastrojmë lumenjtë dhe përrenjtë tanë?

Risia e fundit është se kanë hequr edhe armët e policëve të komunës. Na vjen një shkresë, kjo është për të qeshur dhe për të qarë, se vriten disa fëmijë, u vra një nxënës, atje në Shkozet, në Durrës dhe para disa ditësh na vjen një shkresë që ligji i ri i armëve na përjashton punonjësit e policisë së komunave të mbajnë armë zjarri. Nuk e kuptoj, nuk e di shqetësim i ministrit të Brendshëm është ky, që ato pesë policë që përballen me halle nga më të ndryshmet, që rrinë nëpër dyert e shkollës, dhe atyre ua merr ato armë.”

Bujar Huqi, Kryetar i Bashkisë Manëz, Durrës

Folëm për të gjitha çështje e përkeqësimit të pushtetit vendor, duke qenë se të paktën ka një ndarje të bashkive, ta kategorisë së parë dhe të dytë, dhe të tretë me status të veçantë.

Dhe bashkia ime është e kategorisë së tretë, siç quhet, ndërkohë që shoh përkeqësim të ekzistencës ose mos sepse edhe transferua e pakushtëzuar ne na vjen e strukturuar. Pra transfertë e ne na vjen e kushtëzuar, ndërkohë që 20 % e kësaj shkon për paga dhe sigurime shoqërore, ndërkohë ë funksionojnë me 3 apo 4 persona  sepse nuk mund të punosh me më pak.

Nga ana tjetër është çështja, se ligjet në këtë vend lidhen organikisht me njëra tjetrën, kur bëmë planet urbanistike, për të pasur një Këshill Teknik, apo urbanistike detyrohesh të  kesh 6 persona dhe këto ligje që duhet të kesh, 20% në këtë fond dhe nga ana tjetër për tërheqjen e kësaj takse të biznesit të vogël, që thamë ne me të drejtë, duke injektuar në porcione duke na çuar në atë që kanë të bëjnë me reforma territoriale. Askush nuk arrin të kuptojë por them se në këto kushte trendi i ekzistencës për këto kategori bashkish dhe komunash do të jetë një problem goxha i madh.”

Durim Alimadhi, Kryetar i Bashkisë së Delvinës

Faleminderit zoti Kryetar për këtë takim shumë shqetësues, shumë serioz për sa i përket buxhetit. Unë mendoj se nga ky buxhet i qeverisë qendrore, do të dëmtohen të gjitha njësitë vendore, si të majtë dhe të djathtë, dhe në finale do të dëmtohet komuniteti dhe qytetarët ku ne drejtojmë aty. Unë po i referohem disa shembujve shumë të thjeshtë, për ta sjellë në vëmendje të gjithë pushtetarëve vendor.

Transferta e pakushtëzuar për Bashkinë e Delvinës është me rritje minimale duke marrë parasysh edhe marrjen e taksës së biznesit, marrjen e kësaj kompetence, se nuk jemi të sigurt se sa do të përfitojmë, mua më krijohet një deficit i madh në Bashkinë e Delvinës, një deficit prej 60-70 milionë lek të vjetra, dhe unë tani më duhet të zgjedh për vitin 2014 kë duhet të përballoj, faturën e energjisë elektrike, pasi ka ngritje mekanike të të gjithë qytetit të Delvinës për furnizimin popullatës me ujë. Do të financoj faturën e një qendre sociale, pasi kam 60 fëmijë jetim, plagë e divorcit, apo do të përballoj sportin në qytetin e Delvinës. Ndërkohë, që në qytetin e Delvinës i vetmi aktivitet argëtues më krijon vështirësi.

E dyta, përjashtohem direkt nga renta minerare, sepse Delvina, ka një kompani koncencionare, në qytetin e Delvinës, tashmë që kompania është në fazën e saj prodhuese, do të nisë prodhimin, unë tani në këtë moment nuk përfitoj sepse kompania ka dy vjet që ka qenë në fazën e investimeve.

E treta, kemi konkurruar me projekte konkurruese, kemi rreth 40 milionë lekë të reja, i kemi të sigurt që do ti mbyllim këto projekte, kanë avancuar në burimet e tyre dhe janë në pritje të financimit të këtyre projekteve. Përfiton komuniteti nga këto, nuk përfiton kryetarët e bashkive. Ndaj dhe unë mendoj që buxheti i qeverisë qendrore do të na dëmtojë totalisht, do të jenë shumë shërbime që ne nuk do të arrijmë dot i kryejmë ose do të dëmtojnë cilësinë dhe këtu do të humbasë komuniteti. Mendoj se ne pushtetarët vendor, si të majtë dhe të djathtë humbasin, unë bëjë thirrje të gjithëve që të bashkohemi të gjithë fort, si të majtë dhe të djathtë që të jemi të gjithë këtu bashkë, që ne të ecim të gjithë bashkë dhe të kemi strategjinë tonë të përbashkët që të përballojmë jo interesat personale por për interesat e komunitetit ku ne drejtojmë, pasi ata do të jenë të dëmtuar me shërbimin e ndriçimit, të gjelbërimit, të politikave, si dhe shumë e shumë të tjera.”

Valter Miza, Kryetar i Bashkisë së Bilishtit

“Faleminderit zoti Kryetar, të nderuar kolegë, të nderuar përfaqësues të organizmave të ndryshme. Unë desha të ndaja vetëm një shqetësim, sot na ndan vetëm një javë nga fillimi i vitit të ri buxhetor dhe ne kishim detyrim që të kishim miratuar buxhetin, deri më sot asnjë njësi nuk e ka miratuar, por do të presim miratimin e këtij buxheti, normalisht pritet të dalin udhëzimet në zbatim të këtij buxheti dhe i bie që gjatë gjithë tre mujorit të parë të presim dhe nuk do të bëjmë punë konkrete në qytet tona. Njëkohësisht në këtë projekt buxhet planifikohet që nëse shoqëritë e ujësjellësve, të cila janë shoqëri aksionerë, që në të shumtën e rasteve nuk janë rentabël, granti apo ajo transfertë që quhet e pakushtëzuar, e cila është komplet e kushtëzuar, do të bllokohet si për tremujorin e tretë dhe të katërt. Pra ne i bie të punojmë për komunitetin, vetëm një tre mujor, tremujorin e dytë.

Atëherë çfarë do të bëjmë ne me këto shërbime që qytetarët na i presin, si do ti realizojmë.

U përmend, diçka, u përmend edhe nga kolegët e tjerë, taksa vendore mbi biznesin vogël, aktualisht sipas kategorive, në qytetin tonë në Bashkinë Bilisht, rreth 60% janë biznese të nivelit nga 0-20 milionë lekë. Ata paguajnë sot, flas me të vjetra, 230 mijë lekë, ndërkohë që me paketën e re do të paguajnë 250 mijë lekë. A do të na vijnë ne këto para në bashki, që është një pikëpyetje shumë e madhe. Dhe së dyti, këta biznese që gjoja tolerohen, këtë tarifë, detyrohen ta paguajnë brenda 6- mujorit të parë, ndërkohë që aktualisht e paguanin sipas kësteve.

Unë do të kërkoja edhe një herë që nga deputetët tanë të bëhet një presion më i lartë ndaj qeverisë të mos mund të miratohet ky projekt-buxhet në këto nivele siç është, pasi ne do të përballemi me mos realizimin e funksioneve  që na ngarkon ligji në njësitë tona.”

Kryetar i Bashkisë së Pukës:

“Do të doja të plotësoja një pjesë të mendimit që kolegu im shtroi, në frymën e asaj që ne jemi  me ligj të vetmit njerëz që kemi dalë direkt nga vota e popullit. Në këtë kuptim, përgjegjësinë e kemi më të madhe se sa thjesht të një opozite apo thjesht disa njerëzve që kundërshtojnë ato veprime që qeveria vazhdon e ndërmerr. Mendoj se për këtë barrë që kemi përsipër, për këtë përgjegjësi, ky takim i sotëm do të jetë vetëm fillimi i një procesi më të konsoliduar, më rezistent për t’i bërë ballë një të keqeje që e shohim të gjithë se po i kanoset jo vetëm pushtetit vendor por gjithë shqiptarëve dhe në këtë kuadër duhet ta konsiderojmë procesin e sotshëm si fillimin e një procesi më intensiv në këtë fushë”.

Fatos Rexha- Kryetari i Komunës  së Paskuqanit

“I nderuar zoti Kryetar, të nderuar kolegë unë për vet pa përmendur edhe njëherë se çfarë u tha këtu, sepse këto shqetësime janë ato që prekin të gjithë ne. Pra, e kemi thënë disa herë që nuk është më afër qytetarëve asnjë lloj institucioni përveçse institucionit të pushtetit lokal, kryetarët e zgjedhur të njësive vendore, por edhe njëherë nga ky afrim i centralizimit dhe jo decentralizimit kupton se të gjithë të tjerat janë pas  të gjitha pasojat vijnë nga taksa e biznesit të vogël, ndërhyrje flagrante, nga anulimi apo pezullimi i planeve urbanistike të miratuara në Këshillin Kombëtar  të Territorit, nga shërbimet e tjera, siç është ndërhyrja flagrante tek Inspektorati i Ndërtimit në kompetencat e saj e shumë e shumë të tjera, por këtu unë në fakt ngre një shqetësim dhe njëkohësisht kam kënaqësinë që këtu prezent të kemi nga Këshilli i Europës , nga programi i USAID,OSBE, ku ndërkohë këto institucione kanë dhënë ndihmesë dhe një asistencë prej disa vitesh në aspektet të decentralizimit vendor, cili dhe ku kanë shkuar dhe si kanë shkuar të gjitha këto shpenzime që kanë mbështetur të gjithë qeverisjen e majtë dhe të djathtë , janë bërë shpenzime në aspekt të decentralizimit, cili është konkluzioni që nxirret nga këta , kthimi mbrapsht i jashtëzakonshëm, janë cungim i jashtëzakonshëm i kompetencave të zgjedhurve vendor dhe jo vetëm aq, por reduktim total i shërbimeve ndaj qytetarëve. Kjo është një kambanë shumë e madhe që më vonë do të rëndojë mbi të gjithë shqiptarët e Shqipërisë të majtë dhe të djathtë qofshin ata.”

Kryetari i shoqatës së Bashkive njëherë kryetar i Bashkisë Tiranë, z. Lulzim Basha

“Unë besoj se duke marrë shkas edhe nga fjala juaj dhe nga fjala e parafolësve më parë, mund të konkludojmë pikë së pari se:

Projekt- paketa fiskale dhe parashikimet ligjore përbëjnë hapa të mëdhenj prapa në procesin e zhbërjes së autonomisë vendore, gjymtimit të aftësisë së bashkive dhe komunave për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve të tyre me investime dhe shërbime më cilësore. Kjo do të thotë se nëse buxheti kalon kështu dhe miratohet, merr vulën e aplikimit me gjithë procesin kushtetues që ka përpara, çdo qytetar që banon në territorin e komunave dhe bashkive të vendit, të majta apo të djathta duhet të përgatitet për njësi vendore  të dekapacituara, të paaftësuara, me qëllim nga buxheti, nga pikëpamja financiare dhe në amullinë administrative që imponon dhe mbivendos buxheti, për t’iu përgjigjur nevojave të tyre. Të jemi fare të hapur dhe konkretë! Bëhet fjalë për shërbimet bazë që ne japim. Mund ta marrim numerike, në çdo drejtim por po e marrim nga shtetasit tanë më të vegjël, çerdhet, kopshtet, shkollat, qendrat sociale, politikat tona të ndihmës për zhvillimin ekonomik dhe punësimin, politikat tona investuese, si në drejtim të një territori ku përmirësohet cilësia e jetesës, rrugë, kanalizime, ujësjellës por edhe në drejtim të fuqizimit të parametrave të rritjes ekonomike dhe zhvillimit, si transporti publik apo arteriet kryesore të infrastrukturës, në çdo aspekt, çdo qytetari bashkisë apo komunës që ne i shërbejmë por që shërbejnë po kështu kolegët tanë socialistë, pavarësisht se cila PS vijnë, nga PS apo LSI që do të përballen me paaftësinë financiare dhe administrative, për kryerjen e detyrave të tyre. Ky është impakti që do ketë buxheti, sa i përket anës që ne menaxhojmë.

Në pikëpamje të demokracisë lokale, të kushtetutshmërisë, ky kryeministër i ka dhënë të drejtën vetes përsëri, ka mandatuar veten e tij, pa e marrë këtë mandat nga qytetarët shqiptarë dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës, të ligjeve të vendit, të angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë, si firmosëse, nënshkrues edhe e detyruar të zbatojë Kartën e Autonomisë Vendore, të zhbëjë demokracinë vendore. Në vend që t’i njohë vetes përgjegjësitë që ka marrë bashkë me pushtetin, i njeh vetes të drejtën të shkelmojë kushtetutën dhe demokracinë vendore. Nuk e ka këtë të drejtë, nuk ia ka dhënë votuesi më 23 qershor, ia ndalon kushtetuta, ia ndalojnë ligjet dhe nuk mund ta marrë këtë të drejtë, madje as ne nuk kemi të drejtë ta japim, edhe sikur të ishim ulur bashkë me qeverinë. Nuk është një e drejtë që na përket neve, si mbartës dhe mbajtës 4 vjeçare të mandateve të dhëna nga qytetarët. Është një e drejtë që i përket sovranit, ndaj bie plotësisht dakord që nëse ky kurs i ndjekur deri tani, i shurdhërisë, shpërfilljes i mungesës së ndjeshmërisë, jo për ne por për qytetarët të cilëve duhet t’u shërbejmë nuk ndryshon (për këtë kanë mbetur ende disa ditë në nivelin parlamentar dhe ndoshta pak më shumë në nivelin kushtetues), atëherë ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mobilizojmë të gjitha forcat tona, sit ë zgjedhur vendor, së bashku me përfaqësuesit e tjerë lokalë, pa dallim politik dhe t’i bëhemi në çdo formë, duke përfshirë edhe fizikisht barrierë këtij arbitrariteti, kësaj pakushtetueshmërie, kësaj paligjshmërie, jo thjesht për hir të parimit, ndonëse ia vlen të luftojmë edhe vetëm përparimin por për impaktet e tmerrshme sociale, ekonomike e të gjithanshme që kjo do ketë në mirëqenien e çdo qytetari që pret nga administrata vendore shërbime, nga grupi i parë i fëmijëve të çerdheve, deri tek pensionistët mbi moshën 70 vjeç.

Ky është një konkluzioni drejtë për hapat që duhet të hedhim përpara. Koha mund të mos jetë më e përshtatshmja por ne duhet të përgatitemi që në këtë kohë, në këtë moment, duke pasur faktet në anën tonë, ligjin në anën tonë, duke pasur kushtetutën në anën tonë, duke pasur interesin qytetar në anën tonë, të mos çedojmë asnjë centimetër nga territori i demokracisë vendore dhe nga detyrimi ynë për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve, me shërbime më të mira vitin e ardhshëm se sivjet dhe jo një përkeqësim kaq drastik të shërbimeve, ta vëmë përpara përgjegjësisë këtë kryeministër dhe vartësit e tij të cilët në ndryshim nga çdo kush tjetër, kanë braktisur në këtë mënyrë jo vetëm betimin e tyre kushtetues, jo vetëm angazhimet e tyre kushtetuese për të respektuar kushtetutën dhe ligjin por kanë braktisur edhe vetë ndërgjegjen e tyre, identitetin e  tyre si ish-drejtues të pushtetit vendor. Kjo nuk na habit dhe as nuk është kjo tema jonë kryesore. Qëllimi ynë kryesor është ndalja me çdo kusht i përkeqësimit që kjo paketë do të sjellë dhe për këtë duhet të mobilizohemi të gjithë, nga i pari tek i fundit dhe t’u bëjmë thirrje qytetarëve tanë që ta përcjellin këtë ndjeshmëri jo vetëm në sheshin kryesor para kryeministrisë, çka patjetër duhet ta bëjmë dhe do e bëjmë por në sheshet e çdo lokaliteti ku jetojnë. Këtë mund ta arrijmë duke u shpjeguar siç u shpjeguam sot se këtu nuk bëhet fjalë për pushtetin e të zgjedhurve vendor por bëhet fjalë për cilësinë e jetës së çdo qytetari shqiptar që përveç goditjeve të shumta që merr dhe do marrë përmes kësaj pakete fiskale do të goditet rëndë edhe në pritshmëritë e tija po të saj, për një shërbim më cilësor përmes instrumenteve të pushtetit vendor.

Ju falënderoj për pjesëmarrjen!”

24.12.2013

< Kthehu