Nxënësit e Laprakës do ta nisin vitin e ri akademik, në shkollën e re “Ahmet Gashi”

Basha: “Qytetarët e refuzuan me votë konfliktin politik në 8 maj 2011, do ta refuzojnë sërish më 23 qershor”

1000 nxënës të Laprakës do ta nisin vitin e ri akademik në një shkollë tërësisht të re dhe moderne. Shkolla “Ahmet Gashi” e cila po rindërtohet nga Bashkia e Tiranës, do të përfundojë para afateve të përcaktuara. Kreu i Bashkisë Lulzim Basha ka parë sot ecurinë e punimeve në këtë shkollë, e cila po ndërtohet në një zonë ku investimet mungonin prej vitesh.

“Jam shumë i kënaqur me ecurinë, me ritmin e punimeve dhe me cilësinë me të cilat po ekzekutohet kjo vepër e rëndësishme për komunitetin e Laprakës, të Njësisë Bashkiake nr. 11 në tërësi dhe të Tiranës. Do të ofrojë kapacitetet më moderne për 1000 nxënës të kësaj zone, të një zone që ka një popullsi në rritje dhe kërkesë në rritje për klasa të nivelit 9-vjeçar por edhe të nivelit të shkollave të mesme.

Dua t’ju rikujtoj se kjo është pjesë e një përkushtimi të ri të Bashkisë së Tiranës ndaj kësaj zone dhe ndaj shumë zonave të tjera të harruara ndër vite, përkushtim i cili për sa i përket arritjes së standardit nuk mund dhe nuk do të bjerë poshtë, me standardet e qendrës apo standarde të tjera më të mira që kemi kapur tashmë në Shqipëri” – u shpreh z. Basha.

Kryebashkiaku u është përgjigjur interesimit të medias, lidhur edhe me bashkimin e votave në Këshillin Bashkiak mes LSI dhe PS si dhe ndikimit që do të ketë ky koalicion i ri, në realizimin e projekteve në interes të qytetarëve.

“Bashkia e Tiranës mbetet e përkushtuar dhe e vendosur, ka të gjitha kapacitetet dhe të gjithë instrumentet për të vazhduar me të gjithë projektet që ne kemi shpalosur përpara qytetarëve dhe unë qëndroj garant për ekzekutimin e tyre.

Lëvizja apo qëndrimet e djeshme nuk kanë të bëjnë me Bashkinë e Tiranës. Ju e shikoni qartë se ato vijnë pas vendimit të Parlamentit të hënën mbrëma, pra janë vendime thjesht politike. Nga kjo pikëpamje, më vjen keq të konstatoj përsëri se e vetmja strategji e ish - kryetarit të Bashkisë, në raport me Bashkinë e Tiranës dhe qytetin e qytetarët e Tiranës është strategjia e konfliktit politik, e instrumentalizimit të Bashkisë së Tiranës, si një arenë e konfliktit politik” – theksoi z. Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka theksuar se Bashkia sot është në shërbim të qytetarëve dhe jo luftës politike.  “Bashkia, - u shpreh z. Basha - ofron zgjidhje,  projekte dhe shërbime, ndërsa ish - kryetari Rama ofron vetëm konflikt politik”.

Kryebashkiaku i Tiranës ka shprehur bindjen, se ashtu siç qytetarët e refuzuan me votë konfliktin politik në 8 maj 2011, do ta refuzojnë sërish më 23 qershor.

“Sot, afro 20 muaj pas heqjes së kësaj axhende nga tavolina e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe përkushtimit për projektet që preokupojnë jetën e qytetarëve të Tiranës, pavarësisht prej bindjeve të tyre politike, Tirana është shndërruar në një kantier. Shumë prej veprave, si kjo shkollë janë në punë e sipër. Vepra të tjera madhore presim të nisim së shpejti, ndaj nga kjo pikëpamje, strategjia e rikthimit të konfliktit politik në një moment të tillë nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me Bashkinë e Tiranës, ka të bëjë me 23 qershorin. Me 23 qershor, qytetarët e Tiranës do të duhet të vendosin nëse do i rikthehen thithjes së pluhurit, baltosjes dhe mjerimit të konfliktit politik apo do të vazhdojmë përpara me projektet që kemi nisur” – u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.

Data: 17 prill 2013

< Kthehu