Detyrat

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit ka në themel të punës mbrojtjen e disa të drejtave të konsumatorit dhe synon të rrisë bashkëveprimin dhe efektivitetin e punës për përmbushjen e objektivave të planifikuara përmes monitorimit dhe vlerësimit.

Ajo synon që konsumatorët të jenë më të mirë informuar dhe vetë përcaktues në mënyrë që të zotërojnë njohuritë përkatëse mbi të drejtat e tyre në lidhje me tregun dhe ofrimin e shërbimeve publike.

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit synon të sigurojë:

  • Monitorimin, kontrollin e territorit urban dhe mbrojtjen nga ndërhyrjet e paligjshme, ndotjet dhe shkeljet, të cilat në mbështetje të dispozitave ligjore përcaktohen si shkelje administrative.
  • Monitorimin e cilësisë së transportit publik, mjeteve të transportit që disponohen nga shoqëritë që ofrojnë këtë shërbim.
  • Evidentimin dhe monitorimin e zënies së hapësirave publike nga depozitimet e mbetjeve inerte dhe të rrezikshme.
  • Kontrollin e shërbimeve të ofruara në institucionet sociale dhe parashkollore të administruara nga Bashkia e Tiranës.
  • Kontrollin e shërbimeve komunitare dhe monitorimin e projekteve të Bashkisë lidhur me shërbimet në komunitet.
  • Evidentimin dhe monitorimin e territorit urban në drejtim të ndotjes së shkaktuar nga zhurmat në mjedis.
  • Trajnimin dhe çertifikimin e operatorëve që ofrojnë shërbimin e ushqimit publik në bare, restorante dhe hoteleri.
  • Evidentimin e shkeljeve të të drejtave të konsumatorit në shërbimet e ofruara nga profesionistët dhe që parashikohen në urdhrat profesionale.
  • Mbrojtjen e shëndetit publik nga sëmundjet e transmetueshme nga kafshët dhe prodhimet e tyre tek njerëzit nëpërmjet kontaktit me kafshët e gjalla, konsumit të produkteve dhe nënprodukteve ushqimore me origjinë shtazore, si dhe lëndët mbetëse në këto prodhime.
  • Kontrollin sanitaro-veterinar të kafshëve para, gjatë dhe pas therjes, si dhe çertifikimin veterinar në përputhje me kërkesat e parashtruara në ligj.
  • Sensibilizimin e prodhuesve dhe tregtarëve të produkteve shtazore në drejtim të zbatimit të akteve ligjore në fushën e veterinarisë.
  • Sigurimin për mbrojtjen e kafshëve nga tortura dhe mirëqenien e tyre.
  • Kontrollin e të dhënave të tregut, si dhe evidentimin e problematikave në këto tregje mbështetur në Ligjin Nr. 9902, datë 17.04.2008 për “Mbrojtjen e Konsumatorëve”.
  • Bashkëpunimin dhe koordinimin e punës me administratën e tregjeve për zbatimin e rregullave për funksionimin normal të tyre dhe respektimin e detyrimeve ligjore të kësaj administrate me struktura të tjera të kontrollit të tregjeve.
  • Monitorimin e cilësisë dhe sigurisë së shërbimit të kateringut, bare, restorante, fast food, etj, si dhe kontrollin e infrastrukturës së nevojshme në këto ambiente.
  • Edukimin, trajnimin dhe çertifikimin e ofruesve të këtyre shërbimeve për zbatimin e rregullave dhe standardeve bashkëkohore.
  • Bashkërendimin e punës me strukturat e tjera të higjienës lidhur me monitorimin dhe kontrollin e zbatimit të kushteve higjeno-sanitare në këto njësi shërbimi.
  • Këshillimin e konsumatorit, mbështetjen përmes përhapjes së njohurive dhe informacionit tek prodhuesit, ndërmjetësuesit dhe ofruesit e shërbimeve.
  • Planifikimin e aktiviteteve këshilluese si; broshura sensibilizuese dhe fushata ndërgjegjësuese në drejtim të mbrojtjes së konsumatorit.
  • Bashkëpunimin dhe koordinimin në mënyrë të përhershme dhe shumëdimensionale me të gjitha institucionet, subjektet dhe faktorët që merren me problematikën e konsumatorëve.