Subvencioni i Interesave të Kredisë
Programi i Subvencionimit të interesave të kredisë synon të mbështesë në blerjen e shtëpive të para, me qëllim përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës, nëpërmjet kredive hipotekore me kushte lehtësuese, e cila jepet për strehim dhe një pjesë e interesave subvencionohen nga Bashkia Tiranë.
1. Faza e parë e aplikimit:
1.1 Çdo aplikant që ka mbushur moshën 18 vjeç dhe familjet, që janë të regjistruara në zyrat e gjendjes civile të Bashkisë Tiranë, të cilat, në momentin e aplikimit, plotësojnë kushtet e përcaktuara në pikat 1, 2 e 3, të nenit 4, të ligjit nr. 9232, datë 13.05.2004 “Për programet sociale të strehimit” të ndryshuar, kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për të përfituar nga programi “Subvencionimi i interesave të kredisë”.
1.2 Aplikantët duhet të plotësojnë Formularin e strehimit TIP, pranë Njësisë Administrative përkatëse, të cilit do t’i bashkëlidhin edhe dokumentacionin si më poshtë:
- Deklaratën e vërtetësisë së informacionit të pasqyruar në formularin e strehimit, me anë të së cilës aplikuesit i bëhen të njohura edhe përgjegjësitë ligjore që ai ka në lidhje me dhënien e një informacioni dhe fakteve të rreme, sipas Aneksit nr. , pjesë përbërëse e këtij udhëzuesi;
- Kopjen e kartës së identitetit të aplikuesit.
- Çertifikatën familjare
1.3 Pas plotësimit të formularit dhe dokumentacionit si më lart, Njësitë Administrative përkatëse i përcjellin ato në Bashkinë Tiranë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social.
1.4 Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social, realizon procesin e seleksionimit të formularëve të vlefshëm sipas këtyre kritereve:
- Individë të cilët në momentin e paraqitjes së kërkesës kanë mbushur moshën 18 vjeç;
- Familjet të cilët në momentin e paraqitjes së kërkesës nuk kanë në pronësi një banesë;
- Familjet që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit;
- Familjet që zotërojnë të ardhura brenda kufijve të përcaktuar sipas këtij udhëzuesi.
1.5 Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social, brenda 10 ditëve pas kryerjes së procesit të seleksionimit dhe regjistrimit të formularëve të vlefshëm, merr të gjithë masat e nevojshme nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme e Marrëdhënieve me Publikun dhe Jashtë për njoftimin e aplikuesve që përfitojnë nga programi i strehimit “Për subvencionimin e interesave të kredisë”, si dhe atyre që nuk kanë përfituar.
1.6 Familjet që nuk kanë përfituar, brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e njoftimit, kanë të drejtën e ankimimit pranë Bashkisë Tiranë.
1.7 Kryetari i Bashkisë, ose personi i autorizuar prej tij, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga përfundimi i afatit 30 (tridhjetë) ditor për ankimimin, trajton ankesat e paraqitura dhe njofton aplikuesin në lidhje me vendimin e marrë për ankimin e paraqitur.
1.8 Pas marrjes së njoftimit, familjet përfituese, dorëzojnë pranë Zyrës së Pritjes me Qytetarin në Bashkinë Tiranë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që vërteton deklarimin dhe vërtetësinë e plotësimit të formularit të strehimit në bazë të të cilit janë përzgjedhur fitues.
1.9 Të njëjtën procedurë ndjekin edhe familjet apo individët që janë kualifikuar përfitues pas marrjes në shqyrtim të ankimit të paraqitur pranë Kryetarit të Bashkisë apo personit të autorizuar prej tij.
2. Faza e dytë e aplikimit:
Bazuar në Programin Social të Strehimit “Për Subvencionimin e interesave të kredisë” njoftohen të gjithë qytetarët e interesuar të paraqesin aplikimet e tyre (faza 2) për “Programin Social të Strehimit për “Subvencionimin e Interesave të Kredisë” nga data 18.06.2020 deri në datën 17.07.2020.
Dokumentacioni i parashikuar në ankesin Nr. 4 dorëzohet nga aplikanti fitues pranë Zyrës së Pritjes me Qytetarin në Bashkinë Tiranë.
Në rastet kur aplikanti fitues depoziton deklaratën e pëlqimit për mbledhjen e informacioneve/dokumenteve të lidhura me të, sipas formatit tip që i bashkëlidhet si Aneksi 5, Njësia Administrative/Lagjia plotëson dosjen me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, dhe ia përcjell ato pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social.
Për efekt të zbatimit të këtij programi, do të konsiderohen të vlefshme dokumentet që janë lëshuar nga institucionet kompetente, jo më vonë se 3 (tre) muaj nga data e lëshimit të dokumentit.
Për efekt të këtij programi dokumentacioni ka vlefshmëri ligjore nëse dorëzohen:
• Dokumentacion origjinal ose dokumentacion i njëhësuar me origjinalin (me vulë të thatë)
• Dokumentacion që gjenerohet përmes portalit e-Albania (vulë elektronike)
Bashkelidhur gjeni Aneksin 4 dhe Aneksin 5
Drejtoria e Përgjithshme e Komunikimit dhe Marrëdhenieve me Publikun pranon dokumentacion nga aplikantët përfitues të fazës së pare sipas dokumentacionit si më poshtë.
Lista e dokumentacionit për Subvencionimin e Interesave të Kredisë :
ANEKSI 4
a) Të dhëna personale të aplikantit:
I. certifikatë e lindjes së aplikantit, me përjashtim të rasteve specifike kur individi/familja nuk ka regjistrim në gjendjen civile;
II. vërtetim për vendbanimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore, ku kërkohet strehimi social, për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.
b) Për vërtetimin e kushteve të strehimit, sipas shkronjës “a”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”:
I. vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për pronat që disponohen në emër të secilit anëtar të familjes;vërtetojnë se nuk kanë banesë ose nuk kanë kryer asnjë transaksion për tjetërsimin e pronësisë, të paktën në 5 vitet e fundit, përveç rastit kur pronësia mbi to ka humbur për shkak të një fatkeqësie (vdekje apo sëmundje e rëndë) ose force madhore;
II. vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e strehimit në fuqi;
III. vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për çdo anëtar të familjes, që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi;
IV. aktverifikim nga njësia vendore për:
- banesat në rrezik shembjeje;
- rastet kur familja ka mbetur e pastrehë, si rezultat i fatkeqësivenatyrore;
- banesat që prishen ose përjashtohen nga procesi i legalizimit.
V. Vendim i gjykatës për familjet që humbasin banesën për shkak të zbatimit të vendimit të gjykatës;
VI. akt i verifikimit nga njësia vendore për familjet rome/egjiptiane, që banojnë në banesa individuale ose struktura, të cilat nuk klasifikohen si banesë.
c)Për vërtetimin e kushteve familjare, sipas shkronjës “b”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018,“Për strehimin social”:
i) certifikatë familjare;
ii) vendim i gjykatës që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara.
ç) Për vërtetimin e kushteve sociale, sipas shkronjës “c”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”:
i) vërtetim i komisionit mjekësor të përcaktimit të aftësisë së kufizuar për individë me aftësi të kufizuara;
ii) vërtetim përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezë e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar për individët me statusin e jetimit;
iii) dokument që vërteton se ka mbetur i pastrehë si rezultat i lirimit të banesave, ish-pronë e subjekteve të shpronësuara;
iv) dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe “azilkërkues”;
v) dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të shtetit dhe të Policisë së Burgjeve;
vi) urdhër mbrojtjeje apo urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje, lëshuar nga gjykata për viktimat e dhunës në familje;
vii) vetëdeklarim nëse individi/familja i përket pakicës kombëtare rome ose egjiptiane; viii) dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse për të miturit në konflikt me ligjin; ix) vetëdeklarim se i përket grupimit LGBTI;
x) vërtetim me certifikatë familjare se individi i përket kategorisë vajzë-nënë.
d) Për vërtetimin e kushteve ekonomike, sipas shkronjës “ç”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”:
i) vërtetim i të ardhurave neto të familjes ose një deklaratë me shkrim nga aplikuesi për të ardhurat e familjes dhe burimin e tyre, të cilat duhet t’i bashkëlidhen dokumenteve zyrtare që e vërtetojnë atë,
përfshirë vërtetimin nga punëdhënësi për pozicionin dhe pagën e aplikantit e të personave të tjerë të familjes, që janë në marrëdhënie pune;
ii) dokument nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve, për të gjithë anëtarët e vetëpunësuar të familjes;
iii) vërtetim nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të vetëqeverisjes vendore për anëtarët e familjes të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar;
iv) vërtetim nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë;
v) vërtetim nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.
Ndër të tjera për të vërtetuar situata të caktuar është e nevojshme përpos listës së mësipërme të paraqiten edhe dokumenta si më poshtë vijon:
1- Vërtetimin nga zyra përmbarimore për masën e pensionit ushqimor që përfiton sipas vendimit të gjykatës.
2- Pasqyra financiare për vitin kalendarik të shkuar për personat e vetëpunësuar e njehsuar nga Drejtoria Rajonale Tatimore. Ekstrakt historik nga QKB.
3- Vërtetimi nga zyra e punësimit për personat të cilët janë regjistruar si persona punëkërkues të papunë;
Ndërkohë familjeve të cilat janë celebruar me shtetas të huaj ose individë të cilët kanë vendlindjen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do t’u kërkohet vetëm dokumentacioni i siguruar nga institucionet e Republikës së Shqipërisë.
Dokumenti | Shkarko |
Aneksi 4 & Aneksi 5 |